Në kuadër të misionit të Bankës Botërore, Projekti IRIS ka realizuar një vizitë në terren për të parë nga afër progresin e punimeve në rehabilitimin e sistemit të ujitjes Radoniqi – Dukagjini.
Gjatë vizitës u inspektuan stacionet e pompimit në Qerim dhe Janosh, ku u vlerësua ekzekutimi i punimeve elektrike dhe teknike. Stacionet e pompimit janë tërësisht të rehabilituara në kuadër të projektit IRIS.
Po ashtu, u vizituan lokacionet e baseneve, si dhe punishtja e kontraktorit, për të siguruar përputhshmërinë e punimeve me standardet e projektit. Ndërsa në Prizren u vizituan zyret administrative për të parë nga afër punimet renovuese dhe rehabilituese në kuadër të projektit.

Rreth 90 përqind të punëve në kuadër të kontratës së parë janë të kryera, përfshirë edhe elektrikën dhe SCADA sistemin i cili është duke u përfunduar në afat të rregullt kohor.
Në vazhdën e vizitës, u inspektua edhe puna e përgjithshme e kryer në Zyrat e Radoniqi – Dukagjinit në Xërxë, me fokus në menaxhimin operacional dhe zbatimin e aktiviteteve të planifikuara.
Si rezultat i përfundimit të projektit, parashihet vendosja nën ujitje e një sipërfaqe të re prej 4000 hektarë tokë bujqësore.
Projekti IRIS zbatohet në kuadër të një programi partneriteti ndërmjet Komisionit Evropian dhe Bankës Botërore, përmes Marrëveshjes së Fondit të Besimit të Donatorëve, si dhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Republikës së Kosovës. Projekti synon përmirësimin e efikasitetit të përdorimit të ujit dhe rritjen e produktivitetit bujqësor në Kosovë.